Home / Art dhe Kulturë / Manifestime / DISKRIMINIMI NË VEPËR: Shqipja as në ueb faqen e MSP-së!
Loading...

DISKRIMINIMI NË VEPËR: Shqipja as në ueb faqen e MSP-së!

Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, përpos që nuk kanë asgjë shqiptare në skemën programore, e njëjta nuk ka përfshi gjuhën shqipe as në ueb faqen e saj. Drejtori i Festivalit Mite Stefoski ka thënë se është me rëndësi poetët të kuptohen me gjuhë ndërkombëtare dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë diskriminim për shqiptarët. Komuna e Strugës ka kohë që bojkoton aktivitet e këtij Festivali.

Festivali “Mbrëmjet Strugane të poezisë”, ka vazhduar avazin e vjetër sa i takon mospërfilljes së gjuhës shqipe. Ajo  nuk është në asnjë element të saj të organizimit edhe pse e njëjta mbahet në një komunë me shumicë shqiptare.

“Mbrëmjet Strugane”, përpos që nuk kanë asgjë shqiptarë në skemën programore, e njëjta nuk e ka përfshi gjuhën shqipe as në ueb faqen e saj, ndërsa figuron vetëm gjuha maqedonase dhe ajo angleze.

Drejtori i këtij Festivali Mite Stefoski, për Medial.mk ka thënë se gjuha angleze është gjuhë ndërkombëtare.

“Është festival ndërkombëtar dhe e rëndësishme është që poetët të kuptohen mes tyre me gjuhë ndërkombëtare, që është gjuha angleze dhe nuk ka të bëjë me diskriminim për shqiptarët”, tha Stefoski, duke arsyetuar mungesën totale të gjuhës shqipe gjatë gjithë organizimit të këtij festivali. Ai tutje krenohet me pjesëmarrjen e poetes së vetme shqiptare në këtë festival, Luljeta Leshaku e cila vjen nga Elbasani.

“Ne kemi të përfshirë shqiptarë dhe pjesë e festivalit të sivjetshëm është Luljeta Leshaku poete nga Shqipëria dhe nga ana tjetër konsideroj që më e rëndësishme është cilësia e festivalit, sesa diskutimi i gjuhës në të cilën flitet. Ndërsa për festivale ku do të jetë e përfshirë edhe gjuha shqipe, do të kemi organizime të tjera”, tha ai.

Përndryshe Komuna e Strugës ka vite që është distancuar nga çfarëdolloj organizimi apo bashkë financimi. Albrim Hoxha nga Komuna e Strugës ka pohuar se ky festival është bojkotuar me shumë arsye nga Komuna e Strugës, por njëra nga ato është mosrespektimi i gjuhës shqipe.

“Ne si Komunë mbesim në qëndrimin e njëjtë si në katër vitet e mëparshme. Nuk do të marrim pjesë në një organizim ku nuk respektohet gjuha e popullit shumicë. Fakti se në Strugë rreth 60% e popullatës janë shqiptarë, duhet t’i detyrojë organizatorët e këtij eventi që ta respektojnë këtë dhe aty të flitet edhe shqip. Edhe këtë vit nga ky festival nuk shohim ndonjë shenjë se ka ndryshuar diçka rreth çështjes së gjuhës prandaj vendimi jonë zyrtarë është se deri sa nuk do të flitet shqip, ne do të bojkotojmë këtë lloj organizimi”, tha për Medial.mk, Albrim Hoxha nga kabineti i Kryetarit të Komunës së Strugës.

Nga ana tjetër, sekretari Shtetëror në Ministrinë  e Kulturës, Valmir Aziri në një deklaratë për Medial.mk. tha se “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” si event kulturor vendas, duhet të jetë i bazuar në normat ligjore.

“Mbrëmjet Strugane duhet të jenë inkluzive, duhet të përfshijnë dhe të reflektojnë popullatën vendase, duhet të reflektojnë realiteti gjuhësorë në Republikën e Maqedonisë, duhet të ketë diskriminim pozitiv për të gjithë ata që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Domethënë është një paletë vendimesh që duhet të merr ky institucion, të cilët duhet të jenë në përputhje me frymën dhe ligjet e RM-së”, pat thënë Aziri.

Ndryshe, Festivali do të zgjas gjithsej 5 net me aktivitete të ndryshme kulturore. I njëjti do të  përfundojë më 27 gusht me manifestimin poetik “Urat e Strugës” dhe dorëzimin e çmimeve të fituesve të sivjet./Medial.mk/

x

Check Also

Ditët e Nënë Terezës fillojnë të shtunën

Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, në Katedralen e Kryeqytetit të Kosovës, ...

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com